Prishtina – Llapi zhvillohet në “Fadil Vokrri”, njofton Komuna e Prishtinës

  • S.A /
  • 02 April 2022 - 10:40
Prishtina – Llapi zhvillohet në “Fadil Vokrri”, njofton Komuna e Prishtinës

Vetëm katër orë para nisjes së ndeshjes në Superligë mes Prishtinës dhe Llapit, është bërë i ditur stadiumi se ku do të zhvillohet loja. Ndeshja mes Prishtinës dhe Llapit, megjithatë do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo është bërë e ditur nga Granit Rugova, drejtori i Sportit në komunën e Prishtinës, e cila edh te pronare e stadiumit te kryeqytetit.

Ai tha se sot u takuan me zyrtarë të FC Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës dhe u dakorduan që kjo ndeshje të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Sot, së bashku me kryetarin Përparim Rama takuam zyrtarë nga KF Prishtina dhe Federata e Futbollit e Kosovës, dhe u dakorduam që ndeshja në mes KF Prishtinës dhe KF Llapi, të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit “Fadil Vokrri”. Forca PRISHTINA”, shkroi Rugova në profilin e tij në Facebook.

Më pas, Prishtina publikoi edhe një fotografi ku konfirmoi po ashtu se ndeshja ndaj Llapit do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Federata e Futbollit e Kosovës thirret vazhdimisht në ngritje të madhe të Superligës, por fakti që lokacioni i një ndeshje caktohet vetëm katër orë para fillimit tregon amatorizëm.

Ffk që dy muaj e ka marrë stadiumin nën menaxhim shkaku i ndeshjeve të Kosovës, kurse vetëm 24 orë para ndeshjes, dje e njoftoi FC Prishtinën që nuk mund të luajë aty deri pas 13 prillit.

Prishtina reagoi duke i thënë se nuk ka mundësi teknike e financiare të luajë ndeshjet diku tjetër dhe ia bëri me dije se ndeshjen do ta zhvillojë në “Fadil Vokrri”, duke i thënë po ashtu se stadiumi nuk është i FFK-së, por i komunës së Prishtinës, e cila ia ka dhënë klubit në shfrytëzim.

(Kosova Sot Online )