Kupa e Botës në Katar do të jetë më ndryshe-Çmimi i alkoolit, akomodimi, tifozët...

  • S.A /
  • 05 April 2022 - 11:17
Kupa e Botës në Katar do të jetë më ndryshe-Çmimi i alkoolit, akomodimi, tifozët...

Kampionati Botëror i Futbollit në Katar, i cili do të mbahet në muajin nëntor do të jetë ndryshe nga turnetë e tjerë të zhvilluar më parë. Organizatorët po përballen me sfida logjistike dhe ato do të intensifikohen, nga ofrimi i akomodimit të mjaftueshëm e deri tek përballja me tifozët e padisiplinuar. Ky shtet është i pari nga Lindja e Mesme që e organizon Kupën e Botës, i pari shtet mysliman dhe asnjë Botëror nuk është mbajtur në të kaluarën në një periudhë dimri. Katari, i cili e ka përafërsisht madhësinë e Xhamajkës, është po ashtu shteti më i vogël që e ka organizuar ndonjëherë këtë turne të madh të futbolli, shkruan “the18.com”.

Tifozët nga 32 kombëtare pjesëmarrëse do t’i shikojnë ndeshjet në tetë stadiume përreth qytetit të vetëm të madh – Doha.

Një anë e mirë e gjithë kësaj është se tifozët do të jenë në gjendje t’i mbërrijnë lehtë të gjitha ndeshjet, me mundësi që ta shohin më shumë se një takim brenda ditës, për dallim nga Rusia dhe Brazili, ku shpesh nevojiteshin fluturimet për të udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin.

Por, kjo po ashtu do të thotë se do të jetë një shtrëngim i vërtetë në aspektin e akomodimit në Katar, duke e pasur parasysh se afro 1,2 milionë vizitorë, në këtë rast tifozë, do ta vizitojnë vendin brenda 28 ditësh sa do të zgjasë Botërori.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e trashëgoi vendimin që t’ia japë Katarit organizimin e Botërorit nga Sepp Blatter, i cili u akuzua për skandal në këtë rast, fillimisht e shikoi mundësinë e vendeve të tjera në rajon për ta ndarë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës.

Por, kur ky opsion ra në ujë, Infantino është i vendosur që ta portretizojë turneun si një mundësi për tifozët që ta shijojnë më gjerë një eksperiencë pozitive në botën arabe.

“Do të ketë akomodim për të gjithë ata që duan të qëndrojnë në Katar, e ndoshta për dikë që dëshiron ta kalojë një ditë në Dubai, në Abu Dhabi, Muscat, Ryadh apo Jeddah, apo kudo tjetër në rajon. Pra, do ta kenë mundësinë të shkojnë dhe t’i vizitojnë vendet tjera gjatë qëndrimit të tyre në këtë rajon”, ka thënë kreu i FIFA-s.

“Kjo është ajo që e rekomandojmë ne, sepse mendoj se është eksperienca më e madhe në këtë Botëror të veçantë është mundësia për njerëzit që të vijnë në këtë shtet dhe në një pjesë të botës, të cilën ndoshta nuk e njohin”, vazhdoi ai, shkruan “Gazeta Express”.

Natyrisht, këto mundësi do t’i kenë vetëm tifozët e pasur, pasi ata me xhepa modestë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për t’i vizituar vendet tjera arabe.

Çmimet e hoteleve

Organizatorët tashmë i kanë vendosur edhe çmimet e hoteleve për tifozët e huaj.

Me këtë rast, një tifozi mund t’i kushtojë një natë në hotel me tri yje 120 dollarë, më saktësisht 109 euro.

Janë vënë në dispozicion 130 mijë dhoma në hotele dhe 60 mijë dhoma në apartamente dhe villa, plus afro 4 mijë dhoma në dy anije lundrimi dhe pjesa tjetër në fshatrat e tifozëve.

Alkooli

Zyrtarët po ashtu po mundohen t’ua bëjnë të qartë tifozëve që janë mësuar të pinë shumë birra që, çmimi për një birrë do të kushtojë hiç më pak se 18 dollarë, apo 16.4 euro.

Edhe pse normalisht alkooli është i disponueshëm vetëm në vende të caktuara, zona të veçanta të tifozëve do të vendosen në të gjithë vendin gjatë turneut, kështu që tifozët mund të shikojnë ndeshje dhe të pinë.

“Çmimi i alkoolit në zonën e tifozëve do të jetë i ngjashëm me atë të Botërorit 2018, kur kushtonte afro 6 euro”, thotë një burim.

Krejt tifozët në një qytet

Zona e fansave dhe arenat tjera do të duhet të merren me tifozët e 32 vendeve, për dallim nga shumica e turneve të tjerë, ku qytetet i prisnin vetëm dy grupe tifozësh para lojës.

“Besoj se, të kemi shumë nacionalitete dhe njerëz që vijnë së bashku dhe qëndrojnë së bashku, do të jetë përfituese. Kjo po ashtu do ta bëjë Kupën e Botës një mbledhje të madhe shoqërore”, përfundoi Infantino.

Megjithatë, këto takime mund të kërkojnë më shumë siguri dhe policë të aftë, duke e pasur parasysh që turnetë e tillë e kanë një histori të përplasjes së tifozëve rivalë. 

(Kosova Sot Online )