Delegatët nuk e dinë ende orën e as vendin e mbajtjes së Kuvendit, të cilin FFK-ja e deshi me çdo kusht

  • S.A /
  • 05 April 2022 - 12:00
Delegatët nuk e dinë ende orën e as vendin e mbajtjes së Kuvendit, të cilin FFK-ja e deshi me çdo kusht

Federata e Futbollit të Kosovës disa javë më parë njoftoi për mbajtjen me çdo kusht të Kuvendit Zgjedhor më 6 prill, përkundër kontestimeve dhe kundërshtimeve të shumta, konsiderimit të tij si i jashtëligjshëm, opinionit ligjor të Departamentit Ligjor pranë MKRS-së se është jo i rregullt dhe të shumë ankesave tjera.

Por, ajo që e bën edhe më skandaloz këtë Kuvend është fakti se kur ka mbetur vetëm edhe një ditë para mbajtjes së tij, shtëpia e futbollit kosovar nuk ka njoftuar ende për vendin dhe kohën e mbajtjes së këtij Kuvendi.

Për këtë janë të shqetësuar drejtuesit e klubeve, përfshirë këtu edhe drejtorin e Dritës, Valon Zymberi.

“Shkeljet e vazhdueshme që janë bërë para mbajtjes së Kuvendin e kanë arritur pikun sot. Është paradoksale. Imagjinoni, ende nuk e dimë se ku do të mbahet Kuvendi dhe në çfarë ore”, thotë fillimisht delagati i klubit gjilanas.

Ai e tregon edhe një tjetër fakt, i cili thotë se i mëshon vulë parregullsisë së Kuvendit.

“E çdo limit e kalon fakti se disa klube nuk e kanë marrë ende materialin e Kuvendit Zgjedhor. Na kanë treguar drejtuesit e këtyre klubeve, kjo është shokuese”, përfundoi Zymberi.

Edhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka e ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se nuk e di ende se kur dhe ku saktësisht do të mbahet Kuvendi Zgjedhor.

“Për momentin ka vetëm llafe. Herë thonë në orën 4 e herë në orën 5. Herë thonë në selinë e FFK-së e herë në hotel Emerald. Nuk po e dimë as vetë ku kemi me shku nesër”, theksoi ai .

Vetëm data 6 prill është e sigurt për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, i cili po konsiderohet si i parregullt nga opozita. 

(Kosova Sot Online )