Benzema “show”, Reali merr fitore të madhe ndaj Chelseat

  • A.P /
  • 06 April 2022 - 23:00
Benzema “show”, Reali merr fitore të madhe ndaj Chelseat

Real Madridi ka bërë një hap të madh para në rrugën për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

“Los Blancos” triumfuan në udhëtim ndaj Chelseat me rezultat 1:3, rezultat ky që i jep komoditet të madh spanjollëve.

Sulmuesi francez, Karim Benzema ishte edhe njëherë protagonist i ndeshjes, duke dëshmuar formën perfektë që po kalon.

Ai shënoi të tre golat e mysafirëve, dy prej të cilëve me kokë dhe një nga gabimi i portierit, Edouard Mendy.

Ishte minuta e 21-të, kur nga një krosim i Vinicius Junior, Benzema shënoi bukur me kokë për t’i kaluar mysafirët në epërsi.

Nuk vonoi shumë dhe Benzema e dyfishoi epërsinë e Real Madridit tre minuta më vonë me një gol tjetër me kokë. Kësaj radhe u asistua nga Modric.

Në minutën e 40-të, Chelsea dha shenja jete, duke ngushtuar epërsinë nëpërmjet Kai Havertz.

Por, epërsinë e dyfishtë e riktheu sërish Benzema një minutë pasi filloi pjesa e dytë, pas një gabimi të Mendy.

Kështu, Real Madridi e pret Chelsean pas një jave me komoditet të madh prej dy golave.


(Kosova Sot Online)