Statistikat impresionuese të Benzemas

  • S.A /
  • 07 April 2022 - 09:18
Statistikat impresionuese të Benzemas

E gjithë bota e futbollit po flet për Karim Benzeman. Sulmuesi francez e ka marrë në dorë ekipin e Real Madridit dhe po shkon me hapa të sigurt drejt trofeve të rëndësishëm. Ish-sulmuesi i Lyonit ishte protagonist edhe mbrëmë në fitoren 3:1 ndaj Chelseat në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Hat-Tricku” i realizuar në “Stamford Bridge ia përmirësoi atij statistikat dhe e konfirmoi formën jetësore. Më poshtë ua prezantojmë statistikat impresionuese të Karim Benzemas: – Karim Benzema është bërë lojtari i parë ndonjëherë që shënon “hat-trick” ndaj Chelseat në garat evropiane. Sulmuesi francez i realizoi të tre golat në harkun e 46 minutave; 

– Karim Benzema është bërë lojtari i parë francez që e arrin shifrën e 10+ golave brenda një sezoni në histori të Ligës së Kampionëve dhe i pari që e bën këtë në Kupat Evropiane që prej sezonit 1958/59, kur këtë e kishte bërë Just Fontaine (10 gola);

– Karim Benzema e Vinícius Júnior kanë kombinuar në mes vete në pesë gola në Champions këtë sezon, statistikat më të mira për një dyshe këtë edicion në këtë garë.

– Karim Benzema është bërë vetëm lojtari i katërt që shënon “hat-trick” në dy ndeshje radhazi në Champions pas Luiz Adriano, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo;

– Karim Benzema është bërë lojtari i parë në histori të Real Madridit që i shënon gjashtë gola radhazi për ekipin e tij në garat evropiane. Tre gola i kishte shënuar edhe ndaj Paris Saint-Germainit;

– Karim Benzema arriti në kuotën e 82 golave në Ligën e Kampionëve, vetëm tri më pak se Robert Lewandowski, i cili është i treti në listë pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

– Me 37 gola e 13 asistime, Karim Benzema e ka prekur për herë të parë në karrierë kuotën e përfshirjes në 50 gola brenda një sezoni. Vetëm Cristiano Ronaldo (8 herë) kishte arritur statistika impresionuese si kjo në shekullin XXI në fanellën e Real Madridit. 

Image

(Kosova Sot Online )