Lideri sfidohet në Klinë, skuadrat gjilanase llogarisin në fitore

  • G.G /
  • 08 April 2022 - 13:23
Lideri sfidohet në Klinë, skuadrat gjilanase llogarisin në fitore

Dukagjini do ta sfidojë liderin e Superligës, Ballkani, në nismë të fazës së katërt dhe të fundit të sezonit. Drita shihet si favorite për ta mposhtur Feronikelin në udhëtim, e Gjilani po ashtu llogarit në fitore ndaj Drenicës, në kuadër të xhiros së 28-të

Këtë fundjavë do të nisë faza e katërt dhe e fundit e garave në Superligën e futbollit.

Lideri Ballkani do ta vizitojë Dukagjinin në kërkim të fitores së radhës për ta ruajtur distancën ndaj ndjekësve.

Nga ana tjetër, klinasit do të mundohen t’i mbajnë pikët në shtëpi në tentim për t’i shpëtuar rënies nga liga.

Ndërkohë, përcjellësit e liderit, Drita e Gjilani llogarisin në fitore në duelet përkatëse.

E po ashtu, ato do të shpresojnë në ndonjë gabim eventual të therandasve në Klinë.

“Intelektualët” e vizitojnë Feronikelin e dorëzuar.

Kurse, “Skifterat” e penalizuar pa shikues e presin Drenicën në shtëpi.

Prishtina kërkon fitore ndaj Malishevës për ta kaluar më e qetë pjesën e fundit të sezonit.

Kurse, Llapi e viziton Ulpianën.

(Kosova Sot Online)