Futbollisti e falënderon referin që ia mundësoi të bënte iftar gjatë lojës në Bundesligë

  • S.A /
  • 12 April 2022 - 10:26
Futbollisti e falënderon referin që ia mundësoi të bënte iftar gjatë lojës në Bundesligë

Ndeshja ndërmjet Augsburgut dhe Mainzit u ndërpre përkohësisht ditë më parë për t’ia mundësuar Moussa Niakhates që të bënte iftar në një moment fantastik në Bundesligë.

Myslimanët në mbarë botën aktualisht janë duke e agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit, përfshirë këtu edhe yllin e Real Madridit, Karim Benzema, i cili agjëroi edhe në ditën kur i realizoi tre gola kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve.

Dhe, edhe mbrojtësi i Mainzit, Niakhate është bërë pjesë e Ramazanit si pjesë e besimit të tij islam.

Dhe, 26 vjeçari bëri iftar gjatë lojës së zhvilluar javën e kaluar, shkruan “Gazeta Express”.

Në minutën e 64-të, referi i ndeshjes, Matthias Jollenbeck e ndali lojën përkohësisht dhe në këtë mënyrë Niakhate do ta kishte mundësinë të bënte iftar “sa për ta prishur”.

Pushimi i shkurtër e pa atë duke i pirë dy shishe, me gjasë njëra me ujë dhe një tjetër me pije sportive.

Pasi bëri iftar, futbollisti francez e falënderoi referin Jollenbeck për këtë veprim për duartrokitje.

Sipas mediumit “Sport”, kjo ishte hera e parë ndonjëherë që një ndeshje e elitës së futbollit gjerman ndërpritet për t’ia mundësuar një lojtari të bëjë iftar.

Tifozët në rrjetet sociale e kanë përshëndetur këtë veprim dhe këtë moment.

Lutz Michael Frohlich, drejtor gjerman i komunikimit për Komitetin e Referëve të Gjermanisë, e ka aprovuar ndaljen e lojës nga ana e gjyqtarëve për t’ua mundësuar lojtarëve të bëjnë iftar gjatë lojës.

“Nuk ka një instruksion gjeneral për rastin në fjalë, por natyrisht ne i mbështesim referët tanë që t’i lejojnë lojtarët të pinë gjatë Ramazanit kur të jetë koha e iftarit”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online )