Me skenar të SHIK-ut,vonesa e gjykimit të Azem Sylës në proces të parashkrimit

Me skenar të SHIK-ut,vonesa e gjykimit të Azem Sylës në proces të parashkrimit

Hajrullah Tërnava

  • 10 April 2022 - 09:00

Shkruan:ANALISTI: Hajrullah Tërnava

Këtë zvarritje të qëllimshme  po e dëshmon rasti “TOKA”, i harruar, i lënë qëllimisht zvarrë për ti dhënë verdiktin përfundimtar,  dhe kjo fletë shumë se sa thellë është i kapur gjyqësori i Kosovës nga strukturat e mafio politikës, dhe kryesisht nga dora e zgjatur e SHIK-ut ilegal. Pikërisht në këtë aferë janë në proces gjykimi dhe të dyshuarit kryesor, figurat qendrore të kupolës drejtuese të SHIK-ut, njerëz të afërt, vartës të këtyre figurave. Rasti i njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 16 të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, pritet të fillojë me 9 dhe 10 qershor 2022, është nga rastet e shënjestruara që  ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave, së bashku me rastin Stendat dhe aferën e vizave në Ambasadën Italiane, ne krye të dyshuarin Ukë Rugova dhe 14 persona të tjerë të akuzuarit për mashtrim.

 

Rasti “TOKA” që tani ka shume vit duke pushuar, e tash  po ripërsëritet nëpër gjykata e  Kosovës, më së miri na e dëshmon  thellësinë e krimit të  organizuar që ka depërtuar nëpër këto institucione të shtetit, sepse që nga fillimi i gjykimit  e deri më tani kanë kaluar shumë vite dhe ende nuk ka përfunduar me sukses asnjë gjykim i kësaj natyre. Ka metoda të lloj llojshme që e bëjnë prolongimin e gjykimeve, sikur që janë bërë edhe në praktikë, që para përfundimit të procesit gjyqësor që me vite i ka udhëhequr ato procedura një gjykatës kryesor i atyre lëndëve  dhe pastaj avancohet në poste më të larta, i metodë e shmangies së dënimit gjë që tani e tërë procedura e gjykimeve duhet të ripërsëritet me tjetër gjykatës të ri dhe ti zë afati i zhvlerësimit. Jo rastësisht tani e kemi këtë situate të tillë që të „mëdhenjtë” e shtetit,  qoftë si deputet apo poste tjera të larta shtetërore, si të paditur ndaj të tillëve, është ngritë procedura dhe gjykimi ka filluar me vite të tëra, por asnjëherë nuk kanë përfunduar sepse i kanë gjetur metodat e prolongimit institucional, edhe tani gjykimet për të njëjtat lëndë do të rifillojnë me njerëz të tjerë, dhe do të fillojnë nga e para,  dhe me radhë edhe të tjerat për ato vepra të vjetra që po zgjasin nëpër gjyqe qe shumë vite  pa fund, ndoshta edhe me skenar të parashkrimit. Fillimi i gjykimit të rastit “Toka” daton nga dhjetori  i vitit 2016, kur Azem  Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm. Ky proces ka pushuar tash e katër vite dhe seanca e nisjes së gjykimit është caktuar më 09 dhe 10 qershor 2022, dhe i gjithë procesi do të rikthehet nga pika zero. Lajmin e ka bërë të ditur vet gjykatësi Arben Hoti, të cilit i është ndarë në punë kjo lëndë. Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar. Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë. Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”. Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti. Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi. Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj. Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”. Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd për shkak të përmasës së shtrirjes së rrjetit të bashkëpunimit në  falsifikim të dokumentacionit. Kjo maratonë e dytë e këtij procesi gjyqësor rrezikon të  përdoret  që duke  u përsëritur nga fillimi, vetëm  për ta zhvlerësuar aferën dhe dëmtuar provat, në mungesë dhe pamundësitë te rimarrjes së dëshmive të sërishme nga dëshmitarët që mundë të mos jenë ndër të gjallët, por edhe ata që tashmë janë siguruar për të mos prezantuar në këtë proces, në mënyrë që raundi i dytë të arrij vetëm efekt formal të gjykimit parcial sa për statistikat, nëse arrin të përfundohet dhe të mos e zë skenari i paramenduar si rast  për tu parashkruar dhe pushuar. Koha është tani  që me rizgjedhjen e Kryeprokurori i ri, të fillohet drejt dhe ligjshëm  përndjekja e krimit në tërësi nëpër institucionet e Kosovës, sepse kot mundë të  luhen lojna kinse po e luftojmë krimin sikur që është vepruar deri më tani. Faktori ndërkombëtar do të na vështroj neve ashtu si deri më tani, prandaj me garniturat e reja në pushtet duhet ta luftojmë pa kompromis  krimin e korrupsionin në përgjithësi. Duhet ndjekur dhe ndëshkuar ashpër të gjithë ata që ishin të involvuar në ato krime. Ata duhet të dënohen dhe ti vuajnë ato dënime si qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, dhe me këtë shteti do të dëshmon se po i  jetëson ligjet  ashtu si duhet. Deri me tani është dëshmuar që mega rastet e mëdha të krimit të organizuar qëllimisht  janë prolonguar deri  në zënien e afatit të fundit për tu parashkruar.  

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"