Reali e Villarreali e kërkojnë konfirmimin, Chelsea e Bayerni përmbysjen

  • S.A /
  • 12 April 2022 - 10:56
Reali e Villarreali e kërkojnë konfirmimin, Chelsea e Bayerni përmbysjen

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me dy ndeshjet e kthimit çerekfinale. Pa dyshim, dueli kryesor do të jetë ai në mes të Real Madridit dhe Chelseat. “Los Blancos” e fituan lojën e parë në “Stamford Bridge” me rezultat 3:1 javën e kaluar falë “hat-trickut” të Karim Benzemas. E tash, “Mbretërit e Spanjës” do të mundohen ta ruajnë kapitalin e krijuar në Londër për ta konfirmuar kualifikimin në gjysmëfinale të kësaj gare. Mirëpo, trajneri Carlo Ancelotti ka kërkuar nga lojtarët e tij të jenë të vëmendshëm në “Santiago Bernabeu” dhe të mos e bëjnë si të kryer punën e kualifikimit, pasi insiston se kjo mund të jetë e rrezikshme për ekipin e tij.

Nga ana tjetër, “Blues”, të cilët udhëtuan drejt kryeqytetit spanjoll pas Romelu Lukakun e lënduar, do ta kërkojnë mrekullinë në Madrid. Trajneri Thomas Tuchel ka kërkuar nga lojtarët që ta bëjnë lojën e tyre, duke shfrytëzuar aspektin fizik dhe të tentojnë ta bëjnë përmbysjen e madhe. Megjithatë, trajneri gjerman e di se kjo do të jetë mjaft e vështirë për kampionin aktual evropian, duke e marrë parasysh se përballë e ka një gjigant evropian. E dueli tjetër i natës do të jetë ai në mes të Bayern Munichut me Villarrealin. “Nëndetësja e Verdhë” e kishte fituar lojën e parë 1:0 në Spanjë javën e kaluar. Tash, gjiganti bavarez do të mundohet ta bëjë përmbysjen e madhe, pra të fitojë në shtëpi dhe ta presë një biletë për në gjysmëfinale të kësaj gare. Të dyja ndeshjet e sontme do të fillojnë në orën 21:00. 

Image

(Kosova Sot Online )