Edhe sivjet organizohet turneu selektiv në 3×3

  • G.G /
  • 16 April 2022 - 16:06
Edhe sivjet organizohet turneu selektiv në 3×3

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar seedhe këtë vit, ekipet kombëtare të Kosovës në 3×3 do të marrin pjesë në kualifikimet për FIBA Euro Cup 3×3, që zhvillohen në Qipro në fundjavën e parë të qershorit.

FBK edhe sivjet do të organizojë një turne selektiv, ku inkurajon sa më shumë ekipe cilësore të marrin pjesë, kurse rezultatet e turneut do të shërbejnë si bazë për selektimin ekipit kombëtar të 3×3.

Turneu do të mbahet në fundjavën e dytë të muajit maj, kurse afati për paraqitje të ekipeve do të hapet në fund të prillit. Edhe sivjet, kusht për paraqitje në turneun selektiv është që lojtarët të kenë profile të vërtetuara në platformën zyrtare të FIBA-s për 3×3.

Koordinatori i FBK-së për 3×3 Leart Hoxha deklaroi se: “Datat e sakta dhe kushtet e lajmërimit të lojtarëve dhe ekipeve do ti publikojmë ditëve të ardhshme, por kusht themelor është që lojtarët që vijnë në turne, të kenë profile të vërtetuara në FIBA. Pas përfundimit të turneut, FBK do të paraqesë deri në 6 lojtarë fillimisht për licencim në FIBA dhe më pas do të vendosim për katërshen definitive që do të përfaqësojë Kosovën në kualifikime për FIBA Europe Cup 3×3”.

Vitin e kaluar në kualifikime për FIBA Europe Cup 3×3, që janë zhvilluar në Constanta të Rumanisë, Kosovën  tek meshkujt e kanë përfaqësuar Bardh Rexha, Admir Mullabazi, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena. Tek femrat për Kosovën janë paraqitur Arbnore Përquku, Diedona Halitaj, Saranda Daci dhe Marigona Rushiti. 

(Kosova Sot Online)