Ia priti penalltinë Aro Muriç, Hadërgjonaj vjen me një postim në rrjetet sociale

  • S.A /
  • 18 April 2022 - 10:10
Ia priti penalltinë Aro Muriç, Hadërgjonaj vjen me një postim në rrjetet sociale

Superliga turke i vuri në fundjavë përballë dy përfaqësuesit kosovarë, Florent Hadërgjonaj dhe Aro Muriç.

Mbrojtësi i djathtë kosovar e pati një ditë më plot ndodhi.

Futbollisti i Kasimpasas në pjesën e parë u ndëshkua me karton të verdhë dhe më pas asistoi për njërin nga golat e ekipit vendës.

Por, në pjesën e dytë ishte fytyrë tragjike pasi e humbi penalltinë, të cilën më saktësisht ia priti portieri Muriç.

Sidoqoftë, Hadërgjonaj festoi në fund pasi skuadra e tij fitoi me rezultat të thellë, 4:0 ndaj Adana Demirsporit të Aro Muriçit.

E pas lojës, ish-përfaqësuesi zviceran e bëri një postim në rrjetet sociale, ku shihet duke festuar me një shok të skuadrës. Hadërgjonaj luajti gjatë tërë ndeshjes, njëjtë si portieri Muriç.

Tek mysafirët me karton të kuq u ndëshkua sulmuesi problematik italian, Mario Balotelli.

Kasimpasa është i 11-ti në tabelë me 44 pikë, kurse Adana Demirspor i pesti me 52 pikë.

(Kosova Sot Online )