Man Utd konfirmon se Ronaldo s’do të luajë sonte ndaj Liverpoolit

  • G.G /
  • 19 April 2022 - 13:47
Man Utd konfirmon se Ronaldo s’do të luajë sonte ndaj Liverpoolit

Cristiano Ronaldo nuk do të luajë sonte për Manchester Unitedin ndaj Liverpoolin, në derbin e Premierligës.

37 vjeçari njoftoi mbrëmë se biri i tij i sapolindur ka ndërruar jetë, derisa CR7 me partneren e tij, Georgina Rodriguez po prisnin binjakë.

“Familja është më e rëndësishme se gjithçka dhe Ronaldo është duke e mbështetur familjen e tij të dashur në këto momente të vështira”, ka shkruar klubi anglez.

“Për këtë, ne ju njoftojmë se ai nuk do të luajë në ndeshje ndaj Liverpoolit në Anfield të martën mbrëma dhe ne do të kërkojmë të respektohet privatësia e kërkuar”, vazhdon njoftimi i “Djajve të Kuq”.

Ronaldo njoftoi mbrëmë për humbjen e njërit prej foshnjave dhe theksoi se kjo ishte dhimbja më e madhe që e ka përjetuar ndonjëherë.

Fatmirësisht, vajza e tij mbijetoi.

Tifozët e Liverpoolit ndërkohë kanë paralajmëruar se sonte në minutën e shtatë do të duartrokasin për një minutë për ta nderuar dhe ngushëlluar yllin portugez, i cili po kalon nëpër momente të vështira emocionale.

(Kosova Sot Online)