Ish-futbollisti i njohur gjerman: Lewandowski flirton qe 5 vjet me klube të ndryshme

  • S.A /
  • 26 April 2022 - 09:07
Ish-futbollisti i njohur gjerman: Lewandowski flirton qe 5 vjet me klube të ndryshme

Dietmar Hamann, ish- mesfushor i Bayern Munichut dhe i Kombëtares gjermane, ka folur për spekulimet e fundit rreth së ardhmes së Robert Lewandowskit. Sulmuesi polak duket se është i vendosur për t’u larguar nga “Allianz Arena”, por kampioni gjerman ndërkohë po mundohet ta bindë atë që ta respektojë deri në fund kontratën, e cila do zgjasë deri në vitin 2023.Ai ka qenë i ashpër ndaj lojtarit më të mirë në botë në dy vitet e fundit, të shpallur nga FIFA. “Lewa thotë se për të është një situatë e vështirë. Dua ta pyes nëse në pesë vjetët e fundit, kur ka flirtuar çdo vit me klube të ndryshme, a ka menduar ndonjëherë se sa e vështirë ishte për Bayernin. Ndërkohë, spekulimet janë përsëritur çdo vit, kur bëhej fjalë për Manchester Cityn apo për Real Madridin”, deklaroi fillimisht Hamann për “Sport DE”.

“Nuk e ka thënë kurrë se është i lumtur në Munich, ku ka fituar gjithçka. Nuk i ka më 24 vjet, nuk mund ta presë më një kontratë afatgjate. Askush nuk e di nëse do të shënojë ende shumë gola në sezonin e ardhshëm, e mos të flasim pas 2-3 vjetësh. Askush nuk mund të garantojë për këtë”, përfundoi ish-futbollisti i Liverpoolit. Për Lewandowskin flitet se mund t’i bashkohet Barcelonës gjatë verës që vjen, por gjiganti katalunas duhet t’i paguajë 40-50 milionë euro nëse dëshiron ta transferojë lojtarin në “Camp Nou”.

(Kosova Sot Online )