Liverpooli për konfirmim, Villarreali për përmbysje

  • S.A /
  • 03 May 2022 - 11:55
Liverpooli për konfirmim, Villarreali për përmbysje

Sonte do të zhvillohet ndeshja e parë e kthimit gjysmëfinale të Lagës së Kampionëve. “Reds” shkojnë në Spanjë për ta ruajtur kapitalin e lojës së parë dhe për ta prekur finalen, “Nëndetësja e Verdhë” synon ta përmbysë dhe ta fundosë gjigantin britanik

Liga e Kampionëve rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e kthimit gjysmëfinale.

Villarreali dhe Liverpooli do të përballen sonte për herë të dytë brenda një javë.

Rundin e parë e fituan “Reds” në Angli me rezultat 2:0.

Ndërsa sonte, pas lojës së kthimit në Spanjë, do të zbulohet finalisti i parë i Championsit për këtë sezon.

Gjiganti anglez synon ta ruajë kapitalin e krijuar ndeshjen e parë dhe ta presë biletën për finalen e madhe.

Trajneri Jurgen Klopp ka thënë se kundërshtari do të bëjë presion të vazhdueshëm dhe se do të sulmojë nga minuta e parë.

Ai ka kërkuar nga lojtarët e tij të jenë të kujdesshëm dhe të mundohen të mos pësojnë gol.

Gjermani e ka konsideruar këtë si lojën më të rëndësishme deri tash të sezonit. Natyrisht, ai kërkon fitore ndaj ekipit spanjoll edhe në lojën e kthimit.

Nga ana tjetër, “Nëndetësja e Verdhë” e ka mision ta përmbysë dhe ta fundosë Liverpoolin.

Trajneri Unai Emery thotë se ekipit të tij i nevojitet një lojë perfekte për ta arritur finalen historike.

Ai llogarit në mbështetje të tifozëve për ta fituar këtë lojë jetike për ekipin e Verdhë.

Ndeshja ndërmjet Villarrealit dhe Liverpoolit do të fillojë në orën 21:00. 

(Kosova Sot Online )