Heroi Rodrygo: Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë që po e ndiej, krenar që luaj për Realin

  • S.A /
  • 05 May 2022 - 09:43
Heroi Rodrygo: Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë që po e ndiej, krenar që luaj për Realin

Braziliani Rodrygo ishte hero i Real Madridit në përmbysjen e madhe që “Los Blancos” ia bënë Manchester Cityt për t’u kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve. Sulmuesi brazilian u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe e riktheu në lojë kampionin e freskët spanjoll duke i realizuar dy gola në minutat shtesë.

Më pas golin e kualifikimit e realizoi Karim Benzema nga penalltia në vazhdime.

E Rodrygo ndihet i lumtur që ia mundësoi ekipit të tij ta prek finalen e Parisit, ku do të luajë me Liverpoolin më 28 maj. “Ndihem mjaft i lumtur. Nuk kam fjalë për ta thënë atë që po e ndiej, jam krenar që luaj në Real Madrid, kështu që po e shijoj këtë moment. Është mjaft i rëndësishëm besimi që ma jep Ancelotti, si në momentet kur luaj nga fillimi, ashtu edhe kur hyj më vonë në lojë”, deklaroi Rodrygo për “Prime Video”.

Rodrygo ka qenë një lojtar vital i Ancelottit duke dhënë kontribut sa herë që i është dhënë rasti.

Por, ndeshja që s’do ta harrojë kurrë natyrisht se do të jetë ajo e mbrëmshmja. 

(Kosova Sot Online )