Ministri Çeku: Peci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës

  • S.A /
  • 12 May 2022 - 11:55
Ministri Çeku: Peci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës

Figura e legjendës së boksit kosovarë Xhevdet Peci është vlerësuar lartë për kontributin e dhënë në kohët e vështira të popullit të Kosovës përmes sukseseve të tij të mëdha në sport në ish-Jugosllavi. Në nderim të jetës dhe veprës së tij, personalitete të njohura nga skena politike dhe sportive e vendit kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Xhevdet Pecit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku tha se Peci ishte njëra nga figurat qendrore të sportit të Kosovës dhe se ika e tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për vendin tonë.

“Ka qenë një nga figurat qendrore të sportit në Kosovë më kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm me suksesin e tij sportiv por edhe me kontributin më pastaj në zhvillimin e sportit të boksit në Kosovë . Është një humbje e madhe për familjen e tij të gjakut, për familjen e tij sportive dhe për të gjithë popullin tonë. Suksesi dhe kontributi i tij do të jehojnë përherë “, tha Çeku, Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:30 në fshatin Zhazhë të Komunës së Mitrovicës.  Gjithashtu, sot, nga ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e boksit në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë. Xhevdet Peci ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 67 vjeçare. Ai njihej si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë. Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta. Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti. Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.

(Kosova Sot Online )