Krasniqi: E kemi humbur një sportistë që i ka bërë krenarë krejt shqiptarët

  • S.A /
  • 12 May 2022 - 12:10
Krasniqi: E kemi humbur një sportistë që i ka bërë krenarë krejt shqiptarët

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka bërë homazhe pranë trupit të pajetë të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci. Kreu i sportit kosovar deklaroi se vdekja e një boksieri të madh si Xhevdet Peci është humbje e madhe për të gjithë Kosovën. “Një ditë shumë e vështirë për sportin e Kosovës. Kemi humbur një sportist që na ka bërë krenarë të gjithë shqiptarinë, një kampion pesë herë i ish-Jugosllavisë, një anëtar i Komitetit Olimpik të Kosovën në periudhën më të vështirë. Sot dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peci sepse e ka humbur një njëri jo vetëm familja Peci, por ka humbur e gjithë Kosova”, ka thënë Krasniqi.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:30 në fshatin Zhazhë të Komunës së Mitrovicës.

Gjithashtu, sot, nga ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e boksit në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.

Xhevdet Peci ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 67 vjeçare.

Ai njihej si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë.

Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta.

Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti.

Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.

(Kosova Sot Online )