Presidenti Laporta i bën tifozët të ëndërrojnë për Messin

  • S.A /
  • 16 May 2022 - 08:18
Presidenti Laporta i bën tifozët të ëndërrojnë për Messin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ia ka hapur Lionel Messit dyert e rikthimit në “Camp Nou”.

Dje, babai dhe njëherësh menaxheri i yllit argjentinas, Jorge Messi theksoi se shpreson që një ditë i biri i tij të rikthehet tek “Blaugrana”. E pak orë më vonë, një dëshirë të tillë e ka shprehur edhe kreu i klubit katalunas.

I pyetur nga gazetari i Deportes Cuatro, David Ibanez nëse do të donte ta shohë Messin sërish në ‘Camp Nou”, Laporta u përgjigj: “Po, natyrisht se do ta doja këtë”.

{619166/}

Laporta në të kaluarën kishte thënë se nuk ishte pishman për largimin e Messit, duke shtuar se klubi është më i madh se gjithçka tjetër.

Gjithashtu, kishte shtuar se klubi nuk po planifikon ta rikthejë shtatë herë fituesin e Topit të Artë.

Mirëpo, tash duket se Laporta ia ka lënë dyert hapur Messit për t’u rikthyer në Barcelonë në të ardhmen.

Por, mbeten shumë detaje për t’u zgjidhur, mbi të gjitha financiare, para se një gjë e tillë të ndodhë.

Messi ishte larguar verën e kaluar nga Barça si lojtar i lirë për t’iu bashkuar Paris-Saint Germainit.

Mirëpo, fituesi i fundit i Copa America nuk e ka gjetur aspak veten në “Parkun e Princave” dhe gjithnjë e më shumë po spekulohet për një rikthim të tij në Kataluni. 

(Kosova Sot Online )