Pogba takohet sot me klubin e madh evropian

  • S.A /
  • 16 May 2022 - 12:01
Pogba takohet sot me klubin e madh evropian

Paul Pogba është në kërkim të klubit të ri. Mesfushori francez ka vendosur të largohet nga Manchester United pasi do t’i skadojë kontrata në muajin e ardhshëm. Dhe, kampioni i botës me Francën i ka disa oferta, por nuk ka vendosur ende se cilën prej tyre ta pranojë. Futbollisti kreativ nuk e ka ndërmend t’i nisë bisedimet me Manchester Cityn pasi preferon të luajë jashtë Anglisë. Siç njofton gazetari sportiv italian Fabrizio Romano, bordi i Juventusit do t’i takojë sot përfaqësuesit e Pogbas, ndërsa rroga e tij do të jetë pika kyçe.

Pra, “Bianconeri” synojnë ta rikthejnë në Torino yllin e tyre të dikurshëm. Ndërkohë, drejtuesit e paris Saint-Germainit tashmë kanë pasur kontakte me përfaqësuesit e Pogbas dhe lojtari është në listën e PSG-së. Gjithashtu, qe një kohë të gjatë, 29 vjeçarin e pëlqen edhe Real Madridi. Por, më të mundshëm për mesfushorin ofanziv janë opsionet Paris dhe Torino. 

(Kosova Sot Online )