E ardhmja e Muriqit, ky është skenari më i mundshëm

  • S.A /
  • 18 May 2022 - 09:26
E ardhmja e Muriqit, ky është skenari më i mundshëm

Vedat Muriqi e pati përgjithësisht një eksperiencë pozitive në Mallorca, ku u huazua gjatë janarit nga Lazio.

Sulmuesi kosovar i ka realizuar 5 gola në 15 ndeshje dhe është bërë protagonist tek ekipi spanjoll.

Ai është i vendosur ta ndihmojë ekipin ishullor edhe në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese për të mbetur në ligë ndaj Osasunës këtë fundjavë.

Dhe, më pas do t’i marrë valixhet dhe pritet të largohet nga Spanja.

Kjo pasi, mediat spanjolle kanë siguruar që Mallorca ka vendosur të mos e shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të përfaqësuesit kosovar për 12-13 milionë euro. Dhe, sipas skenarit më të mundshëm, 28 vjeçari do të rikthehet gjatë verës në Itali pasi është në pronësi të Lazios, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2025. Mirëpo, prizrenasi nuk pritet ta respektojë deri në fund këtë kontratë, pas eksperiencës dëshpëruese që e pati në Romë ku i realizoi vetëm dy gola për një vit e gjysmë, shkruan “Calciomercato”.Pra, Muriqit i duhet ta kërkojë opsionin e tretë…Gjithnjë sipas këtij portali, Lazio është duke menduar për ta sistemuar diku tjetër ish-futbollistin e Rizesporit dhe të Fenerbahçes. Destinacioni më i mundshëm i gjigantit të sulmit është rikthimi në Superligën turke.Atë e do ish-klubi i tij Fenerbahçe, por kohë pas kohe interesim ka shprehur edhe gjiganti tjetër turk, Galatasaray. Mbetet të shihet nëse Muriqi do të rikthehet në Stamboll apo do ta provojë një përvojë të re në ndonjë ligë tjetër. Në të kaluarën, Vedatin e donin edhe në Angli dhe në Francë. Lazio e kishte blerë lojtarin nga Fenerbahçe për 18 milionë euro në verën e vitit 2020.

(Kosova Sot Online )