Ministria e Sportit e shpërblen Donjeta Sadikun me 14 mijë euro për suksesin në Botëror

  • S.A /
  • 23 May 2022 - 12:27
Ministria e Sportit e shpërblen Donjeta Sadikun me 14 mijë euro për suksesin në Botëror

Ministria e Sportit e ka shpërblyer Donjeta Sadikun për suksesin e jashtëzakonshëm që e arriti në Kampionat Botëror. Boksieria kosovare u stolis me medalje të bronztë në garën prestigjioze që u mbajt në Stamboll të Turqisë. Dhe, për suksesin e saj, boksieria nga Gollaku u shpërblye me 14 mijë euro. Ndërkaq, trajnerja e saj, Mariola Sallauka i mori 7 mijë euro si shpërblim. Ministri Hajrulla Çeku theksoi se kjo është një e arritur e madhe, jo vetëm për boksin, por edhe për krejt Kosovën.

Ai e ka përgëzuar Donjetën, duke shtuar se puna e sportistëve të suksesshëm po bën që flamuri i Kosovës të ngritet në garat më të mëdha ndërkombëtare në sport.

Donjeta nga ana e saj e falënderoi ministrin dhe Ministrinë e Sportit për këtë shpërblim, ndërsa zbuloi se do të synojë t’i sjellë medalje të tjera vendit të saj, ndërsa qëllimi i saj kryesor është që ta fitojë medaljen edhe në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. 

(Kosova Sot Online )