Trepça e kërkon barazimin e serisë finale, Ylli e synon shkëputjen

  • S.A /
  • 26 May 2022 - 09:23
Trepça e kërkon barazimin e serisë finale, Ylli e synon shkëputjen

Sonte do të zhvillohet ndeshja e dytë finale e “play-offit” të Superligës së basketbollit në mes të Trepçës dhe Golden Eagle Yllit.

Duelin e parë final e kishin fituar therandasit me rezultat të ngushtë, 63:62, me tre pikëshin në fund nga Henrik Sirko.

Therandasit do ta kërkojnë sonte ngritjen e serisë së ndeshjeve finale në 2-0, kurse “Xehetarët” duan ta barazojnë serinë në 1-1.

Në garat e rregullta, ekipet u përballën katër herë, duke shënuar nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës, që tregon për rivalitetin e madh që e kanë pasur në këtë edicion.

Këto dy skuadra kishin përfunduar garat e rregullta, në pozitën e parë, përkatësisht të dytë.

Golden Eagle në gjysmëfinale të “play-offit” e kishte mundur Sigal Prishtinën 3:0 me ndeshje, kurse ‘Xehetarët’ e eliminuan Pejën me seri prej 3:1.

Ylli e synon mbrojtjen e titullit, që do të ishte i dyti në histori të klubit, kurse mitrovicasit shpresojnë ta fitojnë titullin pas një dekade.

Ndeshja e sontme do të luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë duke filluar nga ora 20:30.

Siç dihet, ekipi që i shënon tri fitore shpallet kampion i Kosovës. 

(Kosova Sot Online )