Lampard planifikon transferimin e Armando Brojës dhe futbollistit tjetër të Chelseat

  • A.P /
  • 29 May 2022 - 17:16
Lampard planifikon transferimin e Armando Brojës dhe futbollistit tjetër të Chelseat

Frank Lamapard raportohet se po synon transferimin e dy futbollistëve nga Chelsea.

Bëhet fjalë për dy futbollistët e rinj, Armando Broja dhe Conor Gallagher

Sulmuesi shqiptar kaloi një sezon të suksesshëm si i huazuar te Southamptoni, ashtu si edhe mesfushori anglez te Crystal Palace.

Si rezultat i formës së tyre, interesimi për ta është rritur në prag të afatit kalimtar të verës, pavarësisht se trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, së fundmi tha se pret që dy futbollistët në fjalë të jenë pjesë e “Bluve” në përgatitjet parasezonale.

Ish-futbollisti dhe trajneri i skuadrës londineze, Frank Lampard, thuhet se do të shfrytëzojë kontaktet e tij për të transferuar Brojën dhe Gallagherin te Evertoni, sipas gazetarit Pete O’Rourke.

Ai për “GiveMeSport” tha: “Jam i sigurt se Frank Lampard do të përdorë të gjitha kontaktet e mundshme për të përmirësuar skuadrën e Evertonit. Natyrisht, ai ka lidhjet e tij me Chelsean, kështu që jam i sigurt se kjo mund të ketë ndikim për Armando Brojën ose Conor Gallagherin”.

Megjithatë, për Evertonin nuk do të jetë e lehtë që të nënshkruajë me futbollistët e lartpërmendur, pasi për ta besohet se kanë shprehur interesim edhe shumë klube të tjera.

20-vjeçari, Armando Broja, ka kontratë të vlefshme me Chelsean deri më 30 qershor 2026.

Kurse, Conor Gallagher (22-vjeç) me klubin nga Londra është i lidhur deri më 30 qershor 2025. 

(Kosova Sot Online)