Lewandowski ia bën të qartë Bayernit vendimin e tij

  • A.P /
  • 30 May 2022 - 16:24
Lewandowski ia bën të qartë Bayernit vendimin e tij

Robert Lewandowski i ka idetë e qarta rreth së ardhmes së tij.

Sulmuesi polak dëshiron të largohet nga Bayern Munichu një vit para përfundimit të kontratës dhe të transferohet në Barcelonë.

Futbollisti më i mirë në botë i dy vjetëve të fundit, i zgjedhur nga FIFA, e ka dhënë një konferencë për shtyp në përgatitjet me Kombëtaren polake, ku ka sqaruar gjithçka rreth pozicionit të tij

“Nuk më pëlqen kjo situatë. Ajo që është e qartë për momentin është se historia ime me Bayernin ka marrë fund. Nuk e shoh asnjë mundësi që të vazhdoj të luaj në këtë klub. Zgjidhja më e mirë është shitja. Tash dua të koncentrohem tek Polonia. Pas Ligës së Kombeve do të kemi kohë për të biseduar rreth situatës, por nuk ka mundësi që unë të qëndroj në Bayern. Është një klub serioz dhe shpresoj që nuk do të më bllokojë vetëm pse mund ta bëjë këtë falë kontratës”, u shpreh veterani i sulmit.

Thuhet se Barcelona i ofron 30-35 milionë euro për kartonin e ish-futbollistit të Borussia Dortmundit.

Nga ana tjetër, Bayerni po mundohet ta mbajë atë deri në vitin 2023, kur edhe do t’i skadojë kontrata.

(Kosova Sot Online)