Shefi i La Ligas: Barça s’mund ta transferojë Lewandowskin

  • A.P /
  • 31 May 2022 - 16:13
Shefi i La Ligas: Barça s’mund ta transferojë Lewandowskin

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas insiston se Barcelona për momentin nuk mund ta transferojë Robert Lewandowskin nga Bayern Munichu.

Sulmuesi polak u bë objektiv i klubeve të mëdha evropiane pasi deklaroi edhe publikisht se eksperienca e tij tek gjiganti bavarez ka marrë fund.

33 vjeçarit i ka mbetur edhe një vit kontratë me kampionin gjerman, i cili po mundohet ta mbajë atë me të gjitha metodat.

Por, më i mundshëm duket transferimi i tij në “Camp Nou”, shkruan “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, gjithçka ka stopuar numri 1 i La Ligas, i cili thotë se “Blaugrana” nuk janë në situatë të favorshme për ta transferuar futbollistin më të mirë në botë të dy vjetëve të fundit, i shpallur nga FIFA.

Tebas insiston se klubi katalunas e di fort mirë se një herë duhet të shesë lojtarë për të gjeneruar fonde dhe për t’i zbutur problemet ekonomike, e tek më pas të mendojë për të bërë transferime të lojtarëve.

 “Ata (Barcelona) e dinë se çka duhet të bëjnë. Ata i dinë fort mirë rregullat tona të kontrollit ekonomik dhe situatën e tyre financiare. Rregullat janë bërë për t’i shuar problemet ekonomike. Nuk e di nëse ata do t’i shesin De Jogun, Pedrin apo Pepito Perezin. Ata e dinë se çka duhet të bëjnë: t’i shesin asetet e tyre dhe të fitojnë më shumë, kjo është ajo që duhet ta bëjnë”, deklaroi kreu i La Ligas për të përditshmen spanjolle “Marca”.

Mediat e huaja kanë shkruar kohëve të fundit se Bayerni mund ta shesë Lewandowskin për 30 deri në 40 milionë euro. 

(Kosova Sot Online)