Krejt çka ndodhi mbrëmë në ndeshjen Greqi – Kosovë, e cila i kaloi kufijtë e futbollit

  • s. /
  • 13 June 2022 - 09:59
Krejt çka ndodhi mbrëmë në ndeshjen Greqi – Kosovë, e cila i kaloi kufijtë e futbollit

Ndeshja e mbrëmshme ndërmjet Greqisë dhe Kosovës i kaloi kufijtë e futbollit. Grekët e shpërfaqën urrejtjen ndaj shqiptarëve që nga minuta e parë e lojës së zhvilluar në Volos, të cilën e fituan me rezultat 2:0 në kuadër të Grupit 2 të Ligës C. Por, rezultati në këtë ndeshje të Ligës së Kombeve doli në plan të dytë duke e pasur parasysh atë që ndodhi, mbi të gjitha në tribuna. Provokimet dhe skandalet e grekëve nisën ende pa filluar mirë loja. Ata e shfaqën një baner ku shihej harta e Kosovës me flamur të Serbisë brenda saj. Gjithashtu, pati edhe slogane të tjera pro serbe dhe anti-shqiptare.Më pas, u vërshëllye me të madhe himni shtetëror i Kosovës nga ana e tyre. Pati edhe brohoritje dhe fyerje nacionaliste dhe raciste ndaj shqiptarëve.

E kulmi arriti kur disa prej tyre e kaluan gardhin dhe shkuan për t’u përleshur më tifozët kosovarë, “Dardanët”, të cilët e ruajtën maksimalisht qetësinë dhe treguan kulturë sportive, duke qëndruar në vendet e tyre “derisa u pshtetën për muri”.

Kur Greqia e shënoi golin e parë, tifozët grekë shkuan edhe më larg, duke i gjuajtur me fishekzjarrë nga distanca tifozët e Kosovës, por edhe më gjësende të tjera si shishe plastike apo objekte të tjera, duke e rrezikuar shëndetin e tifozëve mysafirë.

Gjithashtu, tifozët grekë bënë sherr gjatë tërë lojës edhe në fushën e blertë, duke hedhur laser në sy të lojtarëve të Kosovës, në mënyrë që t’i pengonin dhe dekoncentronin ata dhe t’ua pamundësonin për ta bërë atë që dinë ta bëjnë.

Ata gjuajtën gjësende edhe në fushën e blertë dhe përkohësisht u ndërpre loja, e cila s’kishte kushte optimale për të vazhduar, por që gjyqtari e tha fjalën e fundit, duke vendosur që as mos t’i zbrazte tribunat, ndërsa spikeri zyrtar bënte thirrje vazhdimisht që tifozët grekë ta përmirësonin sjelljen e vrazhdë dhe agresive ndaj shqiptarëve.

Lojtarët e Kosovës po ashtu patën ankesa në referim, duke kërkuar penallti dhe konsideruan se disa raste dhe vendime ishin të kontestueshme.

Pra, eksperienca e Kosovës në Greqi ishte e tmerrshme, me grekët që e treguan edhe një herë fytyrën e vërtet karshi shqiptarëve.

Një javë më parë, ata u pritën shumë më mirë në Kosovë.

Mbetet të shihet nëse UEFA do të marrë masa ndaj Federatës së Futbollit të Greqisë pas krejt atyre që ndodhën në Volos. 

(Kosova Sot Online )