Ismet Munishi e paralajmëron rikthimin e dy yjeve tek FC Prishtina

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 10:32
Ismet Munishi e paralajmëron rikthimin e dy yjeve tek FC Prishtina

Endrit Krasniqi dhe Gledi Mici ishin larguar së fundmi nga FC Prishtina, pas krizës së thellë financiare në të cilën gjendet klubi më i madh në vend.

Por, duket se në orët e fundit gjithçka ka ndryshuar.

Trajneri i ri i prishtinasve, Ismet Munishi e ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke e paralajmëruar në njëfarë mënyre rikthimin e mesfushorit ofanziv dhe të mbrojtësit të majtë në klubin Bardhekaltër.

Edhe pse FC Prishtina nuk e ka bërë ende asnjë njoftim zyrtar për një lajm të tillë, Krasniqi dhe Mici mund ta veshin fanellën e kryeqytetasve në elitën e futbollit kosovar edhe sezonin e ardhshëm.

Thuhet se kryesia e klubit e ka shlyer një pjesë të borxhit apo krejt atë, të këtyre dy lojtarëve, të cilët më pas u bindën të vazhdojnë të luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në javët e fundit lojtarët kryesorë e paralajmëruan largimin nga Prishtina, e cila e kaloi një sezon të tmerrshëm dhe dëshpërues, duke mbetur edhe jashtë garave evropiane për sezonin e ardhshëm.

Natyrisht, trajnerin Munishi e pret një punë mjaft e vështirë nëse klubi nuk lëviz me përforcime të mëdha gjatë verës që po vjen. 

(Kosova Sot Online)