De Jong e “tremb” Man Unitedin dhe ia shfaq dashurinë Barçës

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 11:10
De Jong e “tremb” Man Unitedin dhe ia shfaq dashurinë Barçës

Frenkie De Jong është bërë objektivi kryesor i Manchester Unitedit për ta përforcuar mesfushën për sezonin e ri.

Trajneri Erik ten Hag e ka kërkuar personalisht përfaqësuesin holandez, i cili nuk e ka treguar veten sa duhet në Barcelonë.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Ajaxit duket se është i vendosur për ta vazhduar eksperiencën në Camp Nou dhe thotë se nuk ka arsye për t’u larguar prej atje.

Me këtë rast, ai e ka “trembur” klubin nga “Old Trafford”, i cili krahas holandezit po mundohet ta transferojë edhe danezin Christian Eriksen.

“Është kënaqësi gjithmonë kur një klub i rëndësishëm shpreh interesim për ty. Por, unë jam tashmë në klubin më të mirë në botë. Ndihem mirë në Barcelonë, nuk ka ndonjë risi”, deklaroi De Jong pas fitores ndaj Uellsit.

Barça, nga ana e saj, është e interesuar për ta shitur De Jongun në mënyrë që të bëjë para pas krizës që e ka kapluar në epokën pandemike. 

(Kosova Sot Online)