Emmanuel Adebayor e fiton rastin në FIFA dhe fiton afro gjysmë milioni euro

  • S.A /
  • 18 June 2022 - 10:37
Emmanuel Adebayor e fiton rastin në FIFA dhe fiton afro gjysmë milioni euro

Emmanuel Adebayor e ka fituar një rast në Gjykatë të FIFA-s lidhur me largimin e tij nga Olimpia.

Adebayor iu bashkua klubit nga Paraguai, Olimpia, në fillim të vitit 2020, disa muaj përpara se bota të goditej nga pandemia COVID-19. Më pas, futbolli u ndalua për muaj të tërë. Kur futbolli filloi të rikthehet, klubi e largoi yllin e Togos në qershor të të njëjtit vit

38-vjeçari bëri gjithsej katër paraqitje për klubin dhe besoi që largimi i tij ishte i padrejtë. Dhe, FIFA ka urdhëruar tani Olimpian t’i paguajë 485 mijë e 928 euro Adebayorit, plus një interes shtesë prej 12% nga viti 2020.

Presidenti i ri i klubit, Miguel Cardona tha: “Nuk mund të bëjmë asgjë për kontratat që janë nënshkruar më parë, por klubi do të ndryshojë politikën e tij për pagat dhe do të vendosë një kufi pagash. Ne kishim një kërkesë për pagesë nga Adebayor. Ne e dinim se ai merrte 200 mijë dollarë në muaj”.

Para periudhës së tij në Amerikën e Jugut, Adebayor luante për skuadrën turke Kayserispor, me të cilin bëri gjithsej tetë paraqitje, duke shënuar dy herë. Ai gjithashtu luajti për Istanbul Basaksehir, duke bërë mbi 70 paraqitje dhe shënoi 28 herë.

Adebayor u bë i famshëm gjatë kohës së tij në Arsenal, ai shënoi 30 gola në sezonin 2007/08, për të kaluar pastaj te Manchester City, Real Madridi, Tottenham Hotspur e Crystal Palace. 

(Kosova Sot Online )