Felix drejt largimit nga Atletico, dy klubet e njohura në garë për transferimin e tij
Nga Atletico Madridi raportohet se janë të hapur për largimin e Joao Felixit, i cili mund të bëhet me klub të ri që nga sezoni i ardhshëm.
Portugezi u transferua në “Wanda Metropolitano” në vitin 2019 për një çmim rekord – 127 milionë euro.
Felix ka regjistruar 29 gola dhe 15 asistime në 110 paraqitje në të gjitha garat me Atletico Madridin.
Megjithatë, krerët e klubit spanjoll besojnë se ish-sulmuesi i Benficas nuk ka përmbushur pritshmëritë.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, për Felixin kanë shprehur interesim Paris Saint-Germaini dhe Manchester City.
Agjenti i lojtarit thuhet se ka zhvilluar bisedimet e para me zyrtarët nga klubi francez, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Kurse, trajneri i kampionëve të Anglisë, Pep Guardiola, thuhet se e dëshiron 22-vjeçarin në “Etihad”, pasi nga skuadra pritet që të largohen Gabriel Jesus e Raheem Sterling.
Joao Felix me Atletico Madridin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026. Bazuar në “Transfermarkt”, ai vlerësohet me 70 milionë euro në treg.
(Kosova Sot Online)