Kapiteni i ri i Prishtinës, Gledi Mici flet për trajnerin Munishi dhe ka një premtim për tifozët

  • A.P /
  • 26 June 2022 - 17:30
Kapiteni i ri i Prishtinës, Gledi Mici flet për trajnerin Munishi dhe ka një premtim për tifozët

FC Prishtina ka njoftuar se Gledi Mici do të jetë kapiten i skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Mbrojtësi shqiptar shiritin e kapitenit e merr pas largimit të Lorik Boshnjakut, i cili ka nënshkruar me Vllazninë e Shkodrës

Mici është pjesë e Prishtinës që nga vera e vitit 2020, teksa me ekipin “bardhekaltër” e ka fituar një titull të kampionit.

31-vjeçari për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas ka thënë se është përgjegjësi e madhe të jesh kapiten i Prishtinës.

“Të jesh kapiten i Prishtinës është përgjegjësi e madhe pasi që Prishtina është emër me shumë peshë. Do të mundohem që me punë dhe profesionalizëm ta justifikoj këtë detyrë”, tha Mici, i cili pastaj bëri edhe një premtim për “Plisat” dhe tifozët prishtinas.

“Tifozëve iu premtojmë që do të jemi ekip ndryshe në këtë vit. Të gjithë lojtarëve na takon ta japim energjinë e fundit në fushë dhe ta rikthejmë Prishtinën aty ku i takon”, shtoi ish-futbollisti i Shkëndijës.

Gledi Mici ka folur edhe për trajnerin e ri të Prishtinës, Ismet Munishin.

“Cilësitë dhe arritjet e trajnerit dihen. Mentaliteti dhe besimi i tij do të na ndihmojnë edhe neve si lojtar që ta japim më të mirën. Me shumë punë dhe besim do të jetë edicion i mirë për të gjithë”, ka deklaruar Mici. 

(Kosova Sot Online)