Kosova e siguroi sot medaljen e katërt në Lojërat Mesdhetare, synon të fitojë edhe të tjera

  • A.P /
  • 30 June 2022 - 15:17
Kosova e siguroi sot medaljen e katërt në Lojërat Mesdhetare, synon të fitojë edhe të tjera

Kosova po vazhdon të lërë gjurmë në Lojërat Mesdhetare, të cilat po mbahen në Oran të Algjerisë.

Një vend i vogël, i cili po i mahnit të gjithë me sukseset e tij, të cilat po vazhdojnë edhe në “Oran 2022”.

Natyrisht, fjalën kryesore edhe këtë radhë po e thotë xhudoja, pasi falë këtij sporti u siguruan tri medalje, ndërsa një tjetër erdhi nga boksi

Laura Fazliu ia siguroi sot vendit dardan edhe një medalje pasi u kualifikua në finale të kategorisë deri në 63 kilogramë.

Aktualisht, ajo e ka siguruar medaljen e argjendtë si finaliste, por do ta kërkojë të artën pasi të përballet në finale me spanjollen Cristina Cabana Perez.

Edhe Akil Gjakova është në lojë për të fituar medalje përmes repesazhit.

Xhudisti kosovar me këtë rast do ta fitonte medaljen e bronztë nëse e fiton vetëm edhe një meç.

Paraprakisht, dje kampionia olimpike, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë, kurse Flaka Loxha e fitoi të bronztën

Medalje të bronztë ka siguruar edhe boksieri Shpëtim Bajoku pasi shkoi në çerekfinale, por ai do ta zhvillojë sonte gjysmëfinalen dhe do të mundohet ta përmirësoje medaljen, duke e marrë të artën ose të argjendtën.

Pra, deri tash Kosova i ka të sigurta katër medalje falë xhudos dhe boksit, ndërsa sportet tjera patën kryesisht paraqitje të zbehta dhe dëshpëruese.

Edhe nesër vendi ynë mund të fitojë medalje, prapë përmes xhudos…

(Kosova Sot Online)