Ronaldo mungon në fillimin e përgatitjeve të Man Utd, shtohen zërat e largimit

  • G.G /
  • 04 July 2022 - 14:31
Ronaldo mungon në fillimin e përgatitjeve të Man Utd, shtohen zërat e largimit

Cristiano Ronaldo ka qenë mungesa më e madhe e fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri në Manchester United.

Siç njofton “Sky Sports U”, futbollisti portugez nuk është paraqitur në qendrën stërvitore për “arsye familjare”.

Mirëpo, prapa mungesës së tij duket se fshihet diçka tjetër.

Gjithnjë sipas mediave britanike, 37 vjeçari e ka kërkuar largimin nga “Old Trafford” dhe po pret nga klubi që t’ia japë dritën e gjelbër pasi United është i vendosur për ta mbajtur atë në “Teatrin e Ëndrrave”.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe i Juventusit dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve dhe Man Utd nuk do t’ia japë këtë mundësi në edicionin që vjen,

Prandaj, Ronaldo thuhet se në ditët e fundit e ka intensifikuar kërkesën për largim.

Interesim për pesë herë fituesin e Topit të Artë kanë shfaqur klubet e mëdha evropiane si Bayern Munich, Real Madrid, i cili e do rikthimin e tij, Chelsea dhe Paris Saint-Germaini.

Gjithashtu, CR7 kërkohet edhe në Itali nga Roma dhe nga Napoli, opsione këto më pak të mundshme për të.

Po ashtu, ai ka oferta edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që preferon të vazhdojë të luajë së paku edhe një vit në nivele të larta pasi ndihet mjaft mirë dhe i gatshëm fizikisht dhe mentalisht.

(Kosova Sot Online)