Trajneri i Ballkanit, Daja paralajmëron ndryshime për ndeshjen ndaj Zalgirisit

  • A.P /
  • 04 July 2022 - 18:44
Trajneri i Ballkanit, Daja paralajmëron ndryshime për ndeshjen ndaj Zalgirisit

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është paraqitur sot në konferencën për shtyp, para ndeshjes së nesërme në kuadër të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i “portokallezinjve” tha se ndaj Zalgirisit është një ndeshje e vështirë, shkruan Gazeta Express.

“Kemi një ndeshje të vështirë. Kjo jo për faktin që ekipi kundërshtar është në vazon e parë për shkak të eksperiencës që ka nëpër kompeticionet evropiane. Është një skuadër që ka fituar disa tituj në kampionatin lituanez, në Kupa dhe Superkupa. E shton vështirësinë edhe fakti se janë në periudhë gare dhe kanë ritmin e ndeshjes sepse janë në pikun e kampionatit atje. Kanë bërë një kampionat të mirë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që neve do të futemi të dorëzuar, pavarësisht se është hera e parë për shumë lojtarë që marrin pjesë në të tilla kompeticione. Por, jemi përgatitur që të japim më të mirën e mundshme, sigurisht me aq kohë sa kishim në dispozicion dhe me grupin e lojtarëve që pothuajse e kemi të plotë”, tha ai.

Tutje, Daja tregoi se për ndeshjen e nesërme do të ketë disa ndryshime, por që nuk zbuloi detaje më shumë.

“Nuk mund të hyjë në detaje, por kemi vendosur të ndryshojmë pak manovrën sepse këto ndeshje janë me eliminim dhe nuk janë si puna e kampionatit, që edhe po bërë një hap falso, ke mundësi që ta rikuperosh rrugës. Këtu të jepet mundësia dy herë me nga 90 minuta, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të humbasim asnjëherë ekuilibrin, pasi kundërshtari ka lojtarë të shpejt dhe mund të na godasi. Kemi përdorua dy variante që do t’i prezantojmë nesër. Shpresojmë që me zgjedhjen që kemi bërë, me strategjinë dhe manovrën që kemi përdorur edhe në këto ndeshjet miqësore, kemi gjetur atë më të mirën për të na çuar drejt një rezultati pozitiv nesër, në ndeshjen e parë”.

Trajneri i kampionëve të Kosovës tha se vetëm Rustem Hoxha do t’i mungojë nesër. Mbrojtësi shqiptar së fundi iu nënshtrua një operimi pasi kishte këputur ligamentin e gjurit.

“Përveç Rustemit, të cilit i uroi një rikthim sa më të shpejt pas operimit në gju, besoj që të gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion. Të gjithë lojtarët që janë psikologjikisht, fizikisht, teknikisht dhe taktikisht të gatshëm për të përballur ndeshjen e nesërme. Besoj që do ta kemi grupin e plotë”, deklaroi Daja.

Pas shpalljes kampion për herë të parë në histori të klubit, Ballkani do të marrë pjesë edhe në garat evropiane për herë të parë.

Më 5 korrik, Ballkani do të përballet me Zalgirisin e Lituanisë në raundin e parë kualifikues të kësaj gare.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

(Kosova Sot Online)