Autori i golit të Ballkanit, Gripshi: Nuk e merituam barazimin

  • A.P /
  • 05 July 2022 - 22:30
Autori i golit të Ballkanit, Gripshi: Nuk e merituam barazimin

Kampioni i Kosovës, Ballkani ka debutuar me barazim në arenën ndërkombëtare.

Në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja luajti baras me Zalgirisin.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin 1:1. Të dy golat u shënuan në 45 minutat e parë

Autori i golit të Ballkanit, Nazmi Gripshi, pas ndeshjes tha se beson në kualifikimin tutje.

“I bëra një dhuratë vetes sepse shënova për ditëlindje. E pashë hapësirën dhe mendova të godisja, pastaj e pashë topin në rrjetës. Shpresën për kualifikim do ta kemi deri në fund. Nuk e merituam barazimin sonte. Në qoftë se luajmë si sonte, mendoj se nuk na mungon asgjë për të kaluar tutje”, u shpreh Gripshi.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Lituani. 

(Kosova Sot Online)