Ronaldo drejt largimit, Man Utd e gjen menjëherë zëvendësuesin e tij

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 11:15
Ronaldo drejt largimit, Man Utd e gjen menjëherë zëvendësuesin e tij

Cristiano Ronaldo e ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Manchester United pasi portugezi dëshiron të luajë në një ekip i cili merr pjesë në Ligën e Kampionëve.

Dhe, “Djajtë e Kuq” duket se janë dorëzuar dhe e kanë nisur menjëherë punën për gjetjen e zëvendësuesin e yllit portugez.

Sipas gazetarit sportiv italian Gianluca Di Marzio, United ia ka vënë syrin Paulo Dybalas, përcjell “Gazeta Express”.

Madje, sipas tij, gjiganti britanik i ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e sulmuesit argjentinas, të cilin e sheh si pasardhës ideal të “CR7” në largim.

Përfaqësuesit argjentinas i ka skaduar kontrata me Juventusin dhe është i lirë ta zgjedh vetë klubin e ri.

Atë e duan edhe klubet italiane, Milani dhe Interi, por edhe Paris Saint-Germaini në Francë.

Por, futja në lojë e Man Utd mund ta ndryshojë skenarin.

Dybala kërkohej në Premierligë edhe më parë, më saktësisht nga Tottenhami, por ky transferim nuk ishte realizuar asnjëherë.

E tash, sulmuesi i rrezikshëm mund të përfundojë në kampionatin anglez nëse e merr ndonjë ofertë të majme nga “Teatri i Ëndrrave”.

Natyrisht, kjo do të jetë e mundshme vetëm në rast të largimit definitiv të Ronaldos.

Trajneri Erik ten Hag kërkon që sa më shpejt të zgjidhet çështja e sulmit pasi “Djajtë e Kuq” i kanë nisur përgatitjet dhe dëshiron ta ketë në dispozicion ekipin e kompletuar për t’u përgatitur sa më mirë së bashku dhe për ta komponuar atë për sfidat që e presin në sezonin 2022/23. 

(Kosova Sot Online)