Gjilani dhe Llapi synojnë ta nisin mbarë sonte në Conference League

  • G.G /
  • 07 July 2022 - 10:19
Gjilani dhe Llapi synojnë ta nisin mbarë sonte në Conference League

Eksperienca e klubeve kosovare të futbollit do të vazhdojë edhe sonte.

Dy skuadra të këtushme, Gjilani dhe Llapi do ta nisin përvojën e re në Conference League me përballjet përkatëse që do t’i kenë në kuadër të rrethit të parë kualifikues.

“Skifterat” do t’ia bëjnë sefte duke u përballur me klubin letonez, FK Liepaja.

Trajneri Zekirija Ramadani dhe futbollisti Albert Dabiqaj shprehen optimistë se klubi kosovar do të dalë me kokën lartë nga ndeshja e sontme.

Natyrisht, ata kanë respekt për ekipin kundërshtar, i cili ka përvojë më të madhe ndërkombëtare dhe janë të vetëdijshëm se i pret një sfidë e vështirë.

“Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se e kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne i kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit. Objektivi është kalimi tutje”, deklaroi në konferencë për shtyp trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

“Do të mundohemi që nëpërmjet lojës së bukur ta arrijmë kualifikimin tutje. Jemi gati ta japim më të mirën. Nuk po mendojmë për sezonin e ri, por po mendojmë për ndeshjen ndaj Liepajës. Atmosfera është e jashtëzakonshme”, u shpreh Dabiqaj.

Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Liepajës do të nisë në orën 20:00.

E sonte në fushën e blertë do të zbresë edhe Llapi, i cili do ta vizitojë Buduçnostin në Podgoricë.

Edhe llapjanët kanë thënë se janë të gatshëm për sfidën ndaj malazezëve, nga e cila synojnë të dalin me rezultat të favorshëm.

Para kësaj sfide në konferencë për shtyp kanë folur trajneri Tahir Batatina dhe kapiteni i ekipit, Bujar Idrizi.

“Pres një ndeshje të fortë, rivalizuese me futboll cilësor nga dy skuadrat. Le të fitojë më i miri në terren. Ne e kemi një skuadër me kontingjent të mjaftueshëm të lojtarëve që mund ta kalojmë me sukses këtë sfidë”, deklaroi Batatina.

“Asnjë trajner nuk dëshiron rezultat negativ, njësoj edhe unë. I dimë cilësitë e Buducnostit. E kemi analizuar mjaft mirë nëpërmjet video incizimeve skuadrën e tyre dhe do ta japim më të mirën nga vetja që të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”, tha ndër të tjerash trajneri Batatina.

“Për mua si kapiten i skuadrës, pjesëmarrja në këtë kompeticion është një ndjenjë e veçantë e po ashtu edhe një rëndësi e veçantë. Jemi përgatitur maksimalisht për ta kaluar sa më mirë këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht Idrizi.

“Qëllimi ynë është të kalojmë sa më shumë runde që kemi mundësi. Besoj në një performancë të mirë nga unë dhe nga bashkëlojtarët e mi që në ndeshjen kthyese pastaj ta kemi më të lehtë që të kalojmë tutje”, përmbylli Idrizi.

Sfida ndërmjet Buduçnostit dhe Llapit do të fillojë në orën 20:30. 

(Kosova Sot Online)