E pabesueshme: Futbollisti ia mohon golin ekipit të tij, e largon topin nga vija e portës

  • G.G /
  • 11 July 2022 - 10:19
E pabesueshme: Futbollisti ia mohon golin ekipit të tij, e largon topin nga vija e portës

Futbollisti i Valour FC, William Akio ia mohoi ekipit të tij golin në ndeshjen e fundit ndaj HFX Wanderers.

Derisa shoku i tij i skuadrës, Alessandro Riggi shkoi ta festonte golin, pasi topi kaloi prapa shpinës së portierit Christian Oxner, Akio çuditërisht e largoi topin nga vija e portës, duke ia mohuar golin ekipit.

Kjo ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në Premierligën e Kanadasë, respektivisht në minutën e 18-të tek rezultati 0:0,

Akio u kritikua nga krejt shokët e skuadrës për veprimin që e bëri dhe disa prej tyre e kapën kokën me duar.

Komentatorët e lojës kanë mbetur gojëhapur, njëjtë si tifozët në tribuna, por edhe ata që e panë këtë veprim më vonë përmes televizorit apo rrjeteve sociale.

Më pas, Akio u zëvendësua nga sulmuesi i Valour, Moses Dyer, i cili e shënoi golin e fitores.

Tash pritet të nisë një hetim për 25 vjeçarin pasi ky veprim i tij është mjaft i dyshimtë.

(Kosova Sot Online)