A do të qëndrojë në Lazio? Përgjigjet Vedat Muriqi

  • G.G /
  • 11 July 2022 - 14:50
A do të qëndrojë në Lazio? Përgjigjet Vedat Muriqi

Vedat Muriqi ka folur sot shkurt për të ardhmen e tij.

Sulmuesi kosovar u rikthye së fundmi nga Belgjika, ku nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore.

28 vjeçari iu nënshtrua sot përsëri kontrolleve mjekësore, por këtë radhë tek klubi që e mban kartonin e tij – Lazio.

Përkundër këtij fakti, përfaqësuesi kosovar nuk e sheh veten më duke luajtur për “Biancocelesti”.

“A do të mbetem në Lazio? Jo”, është përgjigjur shkurt prizrenasi pasi u pyet nëse do të qëndrojë më apo jo në kryeqytetin italian.

Muriqi ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, por e pati një eksperiencë zhgënjyese për një vit e gjysmë aty, duke i realizuar vetëm dy gola, ndërsa i kishte bërë edhe dy asistime.

Pasi opsioni Club Brugge dështoi, tash Lazio do të mundohet ta sistemojë diku tjetër “Piratin”.

Muriqin e do Mallorca, pasi i kaloi gjashtë muaj mjaft pozitivë në Spanjë, duke i realizuar 5 gola dhe duke i bërë 3 asistime në 16 ndeshje, me ç’rast e ndihmoi klubin ishullor të mbetet në ligën elitare spanjolle.

Në Turqi e pëlqejnë Galatasaray dhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe, kurse në Angli e do Hull City. 

(Kosova Sot Online)