A ka menduar ndonjëherë ta lërë futbollin? Përgjigjet Amir Rrahmani

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 10:44
A ka menduar ndonjëherë ta lërë futbollin? Përgjigjet Amir Rrahmani

Amir Rrahmani iu bashkua ditë më parë Napolit për ta nisur fazën përgatitore për sezonin e ri.

Qendërmbrojtësi kosovar është i motivuar dhe i vendosur për ta bërë një tjetër sezon pozitiv.

Ndërkohë, përfaqësuesi kosovar në qendrën e kongreseve të Dimaro Folgaridas, vendi ku po qëndron ekipi “Azzurro” në përgatitje, u është përgjigjur pyetjeve të tifozëve të vegjël të Napolit.

Njëra prej pyetjeve ishte nëse ka menduar ndonjëherë ta lërë futbollin.

“Nuk e kam menduar kurrë këtë, sepse e dua këtë sport që kur isha i vogël. Gjithmonë ka qenë ëndërr e imja të luaja në këto nivele”, theksoi fillimisht Rrahmani.

Ai ka folur edhe për eksperiencën që e kishte në Verona, për atë që po e kalon në Napoli, për shokët më simpatikë të skuadrës dhe për rrjetet sociale.

“Në Verona e bëmë një sezon të madh në vitin e parë në Serie A. Napoli e ka një skuadër të madhe, ishte një nder për mua të luaj për Napolin. Në futboll ka gjithmonë kritika, flitet lojë pas loje pasi loja që ka shkuar nuk çon peshë më. Prë këtë, edhe kritikat kalojnë me kalimin e kohës”, nënvizoi ai.

“Sa u përket raporteve me rrjetet sociale dhe kritikave që arrijnë prej aty, unë mund të them se i lexoj. Gjithmonë kur fiton shkruajnë fjalë të bukura, kurse kur humb është e kundërta, por ndoshta janë fjalë të vërteta”, shtoi Rrahmani.

“Të gjithë bashkëlojtarët janë pozitivë, por më simpatikët e skuadrës janë Petagna, Fabian, Di Lorenzo e Tommaso Starace”, tregon ai. 

(Kosova Sot Online)