Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Llapi – Buduçnost, Batatina e ka një lutje për tifozët shqiptarë

  • G.G /
  • 13 July 2022 - 14:43
Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Llapi – Buduçnost, Batatina e ka një lutje për tifozët shqiptarë

Loja ndërmjet Llapit dhe Buduçnostit duket se do t’i kalojë kufijtë e një ndeshjeje futbolli.

Tifozët nga treva të ndryshme shqiptare do t’ia mësojnë nesër Prishtinës para ndeshjes ndërmjet Llapit dhe Buduçnostit, e vlefshme për rrethin e parë kualifikues të Conference Leagues

Llapjanët nuk kaluan mirë në lojën e parë javën e kaluar pasi tifozët malazezë i fyen dhe i përqeshën shqiptarët përmes banerave dhe koreografive që i shfaqën në tribuna.

Tifozët e Buduçnostit, “Varvari” e kanë paralajmëruar pjesëmarrjen edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” përmes postimeve provokuese në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka njoftuar se deri tash 10 mijë bileta janë shitur, ndërsa numri i tyre mund të rritet gjithsesi deri nesër.

Po ashtu, trajneri llapjan e ka edhe një lutje për tifozët shqiptarë, nga të cilët kërkon të dominojë brohoritja: “O sa mirë me qenë shqiptar”.

Ndeshja ndërmjet Llapit dhe Buduçnostit do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00.

Lojën e parë e kishin fituar malazezët me rezultat 2:0.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e trajnerit Batatina. 

(Kosova Sot Online)