Serbët e quajnë skandaloz vendimin e Policisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së tifozëve të Buduçnostit: U trembën nga mesazhi ‘po kalojmë në tokën e Serbisë’

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 09:20
Serbët e quajnë skandaloz vendimin e Policisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së tifozëve të Buduçnostit: U trembën nga mesazhi ‘po kalojmë në tokën e Serbisë’

Serbët s’e kanë pritur aspak mirë vendimin e Policisë së Kosovës për ndalimin e futjes së tifozëve të Buduçnostit në territorin e vendit tonë.

Mediat e atjeshme madje këtë e kanë quajtur si një “vendim skandaloz të policisë, e cila u tremb për mesazhin ‘po kaloj në tokën e Serbisë’.

Tifozët “Varvari” e kishin paralajmëruar ardhjen në Kosovë për ndeshjen e kthimit të Buduçnostit me Llapin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Por, paralajmërimet e tyre provokuese, me një hartë të Kosovës si pjesë të Serbisë dhe mesazhin se do të vijnë “në tokën e Serbisë” nxitën mllef në Kosovë.

Prandaj, për ta evituar ndonjë incident eventual në mes të grupeve të tifozëve, u vendos që tifozët nga Podgorica të mos lejohen të futen në territorin e Kosovës.

“Vendim i turpshëm dhe shkatërrues, nuk ka dyshim për këtë. Tifozët e Buduçnostit po planifikonin të shkonin në Kosovë në mënyrë të organizuar dhe masive. Nëse ata tashmë nuk janë në gjendje ta garantojnë sigurinë e mysafirëve, atëherë ata nuk duhet të luajnë në garat evropiane”, shkruan me plot mllef mediumi serb “Kurir”.

Madje, ky medium shkon edhe më larg, sa që e sheh të nevojshëm edhe reagimin zyrtar të Malit të Zi për ndalimin e hyrjes së qytetarëve të tij në Kosovë.

Por, në këtë rast bëhet fjalë për tifozë pro-serbë, të cilët do ta kishin për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve.

Në fund, “Kurir” komunikatën e Llapit për thirrje për mobilizim të gjithë popullit shqiptar, në mënyrë që t’u përgjigjen atyre që në Podgoricë shfaqën urrejtje ndaj shqiptare, e konsideron si si një budallallëk total dhe deklaratë lufte dhe të çmendur, që nxit konflikte.

Edhe në këtë rast, mediumi serb mendon se do të duhej të reagonte UEFA kundë fituesit të Kupës së Kosovës.

Sidoqoftë, sonte Llapi para më shumë se 10 mijë tifozëve nga trevat e ndryshme shqiptare do ta kërkojë përmbysjen e madhe ndaj Buduçnostit, në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Conference Leagues.

Lojën e parë e kishin fituar malazezët me rezultat 2:0 javën e kaluar.

Tifozët “Barbarët” i kishin fyer dhe përqeshur shqiptarët përmes shkrimeve dhe koreografive, por edhe thirrjeve nacionaliste serbe. 

(Kosova Sot Online)