Drita e gatshme për ndeshjen e sontme ndaj Antwerpit, synon rezultat pozitiv në Belgjikë

  • S.A /
  • 21 July 2022 - 09:25
Drita e gatshme për ndeshjen e sontme ndaj Antwerpit, synon rezultat pozitiv në Belgjikë

Drita do të zbresë sonte prapë në fushën e blertë për ta vazhduar eksperiencën e saj evropiane. Nënkampionia e Kosovës do të përballet me ekipin Antwerp në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Conference Leagues.  Pasi e eliminuan Inter Turkun në fazën e parë, gjilanasit synojnë të jenë të suksesshëm edhe në atë të dytë, edhe pse tash do të kenë punë me një kundërshtar të kalibrit krejt tjetër. “Intelektualët” kanë ushtruar dje në stadiumin “Bosuil”, ku do të zhvillohet dueli i parë i tyre me belgët, i cili do të fillojë në orën 19:00 sonte.

631714

Trajneri Ardian Nuhiu ka respekt maksimal për kundërshtarin, i cili konsiderohet si favorit.

Mirëpo, gjilanasit do ta japin edhe atomin e fundit nga vetja për të bërë paraqitje të mirë, e pse jo, për ta kërkuar edhe kualifikimin tutje. “Do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari shumë serioz, stabil dhe me një projekt serioz. Kemi analizuar aq sa kemi mundur kundërshtarin nën udhëheqjen e trajnerit të tanishëm. Ata luajnë futboll të bukur, skuadër kompakte dhe gjithashtu me individ cilësor. Projekti që ata kanë, stabiliteti i skuadrës, tradita e tyre dhe forca që ata kanë, do të jetë motiv për ne”, theksoi fillimisht Nuhiu në konferencë për shtyp. “Një mundësi e artë për futbollistët e mi për t’u përballur me një ekip të fortë dhe për t’i treguar vlerat tona. Është sportive të besojmë dhe të provojmë të bëjmë gjëra të mëdha”, vazhdoi trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Derisa Llapi dhe Gjilani u eliminuan qysh në rrethin e parë, Drita është skuadra e vetme kosovare që depërtoi në rrethin pasues, në të cilin po merr pjesë edhe Ballkani, pas eliminimit nga Championsi. 

(Kosova Sot Online )