Taksisti shqiptar e quan shpërblim qesharak dhuratën e Neuerit, të cilit ia gjeti dhe ia dorëzoi kuletën

  • S.A /
  • 21 July 2022 - 12:30
Taksisti shqiptar e quan shpërblim qesharak dhuratën e Neuerit, të cilit ia gjeti dhe ia dorëzoi kuletën

Taksisti shqiptar, Hazir Stublla është bërë i famshëm së fundmi në Gjermani pasi e ka gjetur kuletën e Manuel Neuerit. Portieri gjerman e shpërbleu taksistin shqiptar për këtë veprim. Por, Stublla e ka quajtur portierin gjerman si dorështrënguar pasi nuk ia dha shpërblimin e merituar.

“Kuleta e kishte emrin dhe adresën e Neuerit”, ka thënë Stublla për mediumin gjerman “Bild”.Ai ka zbuluar se në kuletë gjendeshin 800 euro kesh, një kartë Visa Platinum dhe një Mastercard. Mediumi gjerman tutje shkruan se taksisti shqiptar u përpoq ta gjente portierin gjerman duke shkuar direkt në shtëpi të tij. Aty nuk e gjeti veteranin e portës dhe më pas shkoi në qendrën stërvitore të Bayernit dhe ia dorëzoi kuletën menaxherit të tij. Stublla besoi se do ta merrte një dhuratë që e meriton, por në fund u dëshpërua, pasi e mori një fanellë të panënshkruar nga portieri gjerman. “Ky shpërblim është shaka. Unë kam katër fëmijë dhe nuk mund të bëj asgjë me fanellën”, ka thënë Stublla për “Bild”, i dëshpëruar pasi i kishte bërë 120 kilometra për ta dërguar kuletën në adresën e duhur të pronarit.

(Kosova Sot Online )