Barça realizon transferimin e 15% të të drejtave televizive në Sixth Street për 400 milionë euro

  • A.P /
  • 21 July 2022 - 17:33
Barça realizon transferimin e 15% të të drejtave televizive në Sixth Street për 400 milionë euro

FC Barcelona ka nënshkruar sot aktivizimin e levës së dytë ekonomike. Bëhet fjalë për kalimin e 15% të të drejtave televizive në fondin e investimeve Sixth Street. Ky transferim do t’i lejojë klubit të hyjnë 400 milionë euro duke llogaritur fitimin kapital. Marrëveshja do të jetë për 25 vjet.

Klubi Blaugrana ka transferuar tashmë 10% të të drejtave televizive në të njëjtin fond në fund të qershorit për 207.5 milionë, me një fitim kapital prej 267 milionë, lëvizje që i lejoi të mbyllte me përfitime vitin financiar 2021-22.

Me aktivizimin e këtyre dy levave, Barça do të mund t’i japë fund shifrave negative, të cilat arrinin në rreth 550 milionë euro. Këto lëvizje do t’i lejojnë klubit Blaugrana të kalojë nga rregulli 1-3 në rregullin 1-1 për sa i përket regjistrimit të futbollistëve.

Negociatat për aktivizimin e levës së dytë kanë qenë më komplekse se ato për të parën. Arsyeja është se kur Barça mori një hua nga Goldman Sachs prej 595 milionë euro në fillim të mandatit të Joan Laporta-s, e cila e lejoi atë të ristrukturonte borxhin, ai vuri si kolateral 90% të të drejtave televizive.

Duke përdorur 10% që ishte lëshuar në levën e parë, klubi duhej të merrte leje nga Goldman Sachs për të hequr dorë tani nga 15%. Në këmbim, Barça ka amortizuar 100 milionë euro nga kredia që kishte me Goldman Sachs.

(Kosova Sot Online)