Katër lojtarë të La Fioritas e zgjedhin punën para lojës me Ballkanin në Conference League

  • S.A /
  • 25 July 2022 - 12:18
Katër lojtarë të La Fioritas e zgjedhin punën para lojës me Ballkanin në Conference League

La Fiorita duket se i ka humbur krejt shpresat për ta përmbysur rezultatin ndaj Ballkanit, në rrethin e dytë kualifikues të Conference Leagues. Skuadra nga San Marino e humbi lojën e parë në shtëpi javën e kaluar me rezultat 0:4. E tash, ky ekip do ta marrë rrugën drejt vendit tonë për ta zhvilluar ndeshjen e kthimit me kampionin kosovar. Por, në lojën që do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, mysafirët do të jenë të mangët pasi atyre do t’ju mungojnë katër lojtarë.

Lunadei, Zafferani, Vitaioli e Pellegrino nuk do të jenë prezent në Kosovë për ndeshjen e kthimit. Kjo, jo për shkak të lëndimeve apo të kartonëve apo suspendimeve. Por, televizioni “San Marino RTV” njofton se këta katër lojtarë do të mungojnë “për arsye pune”. Pra, ata e kanë zgjedhur punën para lojës me Ballkanin në UEFA Conference League. Ky fakt e jep pasqyrën e ekipit nga San Marino, lojtarët e së cilit kohë pas kohe kanë prioritete të tjera para futbollit. Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00. 

(Kosova Sot Online )