Ronaldo po qëndron në Manchester, zbulohen zhvillimet e fundit

  • S.A /
  • 26 July 2022 - 13:17
Ronaldo po qëndron në Manchester, zbulohen zhvillimet e fundit

Cristiano Ronaldo ka arritur dje në Manchester pasi qëndroi qe sa kohë në atdhe, ku ushtroi i vetëm. Ylli portugez sot gjatë ditës do të ketë takime me drejtuesit e klubit, por edhe me trajnerin Erik Ten Hag, me të cilët do të diskutojë për të ardhmen e tij. Ata do të kenë takime sy më sy dhe 37 vjeçari do t’ua tregojë atyre vendimin për t’u larguar nga “Old Trafford”. Kështu shkruajnë sot mediat angleze, të cilat po e përcjellin me vëmendje çdo lëvizje të këtij rasti. Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit nuk e ka ndërmend të qëndrojë në Manchester pasi “Djajtë e Kuq” nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.

Ai mbeti jashtë turneut të Australisë dhe Tajlandës, për siç u tha, probleme familjare. Sidoqoftë, prapa krejt këtyre duket se qëndron kërkesa e tij për t’u larguar nga “Teatri i Ëndrrave”. Gjiganti britanik po mundohet ta bind lojtarin të qëndrojë në ekipin aktual, por duket se lojtari e ka ndarë mendjen tashmë. Ai do ta takojë trajnerin holandez në Carrington, në qendrën stërvitore ku Man Utd po i zhvillon përgatitjet, shkruan “Sky Sports News”. Ronaldo synon të luajë në Champions dhe dëshiron të transferohet në një klub që merr pjesë në këtë garë. Në opsion të “CR7” janë Bayern Munichu, Chelsea, Paris Saint-Germaini e Atletico Madridi. Ky i fundit duket se është opsioni më i “nxehtë” për shkak të dëshirës së Ronaldos dhe Georgina Rodriguezit për të luajtur në Spanjë. Por, gjithçka që komplikon është rroga e lartë e lojtarit.

(Kosova Sot Online )