Dortmund pa problem kalon në rrethin e ardhshëm të DFB Pokal

  • A.P /
  • 29 July 2022 - 22:45
Dortmund pa problem kalon në rrethin e ardhshëm të DFB Pokal

Borussia Dortmund ka fituar me rezultat 0-3 kundër Munich 1860 për të kaluar në rrethin e dytë të Kupës së Gjermanisë, të njohur si DFB Pokal. Malen (8), Bellingham (31) dhe Adeyemi (35) shënuan golat për skuadrën mysafire, e cila nuk pati shumë vështirësi për ta fituar këtë ndeshje

Borussia Dortmund e ka filluar mirë sezonin e ri, ku sonte e ka luajtur ndeshjen e parë kundër skuadrës nga kategoria e tretë në Gjermani Munich 1860.

Që në fillim të kësaj ndeshje, verdhezinjtë ishin më të mirë dhe rrezikuan vazhdimisht portën e vendasve.

Rreziku i parë për Munich erdhi në minutën e 4-të ku goditi Malen por që Marco Hiller, portieri i Munich 1860 priti këtë goditje.

Por, ai nuk arriti që ta priste goditjen e dytë të Malen në minutën e tetë. Holandezi depërtoi mirë dhe bëri një goditje mjeshtërore për ta kaluar Dortmundin në epërsi.

Pas pësimit të golit Munich 1860 bëri menjëherë dy ndryshime, në mesin e të cilëve futi në lojë edhe sulmuesin kosovar, Albion Vrenezi, por që ai nuk pati impakt në ndeshjen e tij kundër gjigantë të Dortmund.

Mysafirët do të shënonin edhe dy gola të shpejt në pjesën e parë në minutat 30, gola që do ta vendosnin edhe fatin e këtij takimi.

Një aksion i rrjedhshëm i nisur nga Malen përfundoi me gol të Jude Billingham, i cili u asistua nga Marco Reus në minutën e 31-të të takimit.

Katër minuta më vonë në skenë doli përsëri Malen ku kësaj radhe ishte asistues për transferin e ri të Dortmund nga Salzburg, Karim Adeyemi që u regjistruar në listën e golashënuesve.

Në pjesën e dytë, Dahoud pati mundësitë më të mira për të shënuar golin e katërt, një në minutën e 52-të dhe një tjetër në minutën e 80-të.

Reus e shënoi një gol në minutën e 89-të por që ai u anulua pasi që veterani gjerman ishte në pozitë jashtë loje.

Në fund, kjo ndeshje përfundon me fitoren e Borussia Dortmund që kalojnë kështu në rrethin e dytë të DFB Pokal apo Kupës së Gjermanisë.


(Kosova Sot Online)