Barcelona aktivizon levën e tretë ekonomike, fiton edhe 100 milionë euro

  • A.P /
  • 01 August 2022 - 18:15
Barcelona aktivizon levën e tretë ekonomike, fiton edhe 100 milionë euro

Situata e komplikuar financiare e Barcelonës e ka detyruar klubin që t’i shesë përqindjet e disa prej pronave të tij për të arritur që të fitojë para të mjaftueshme për t’i përmbushur kriteret e La Ligas dhe që të marrë lojtarë të rinj këtë verë.

Gjiganti katalunas ka njoftuar këtë të hënë për shitjen e 24.5% të “Barça Studios” tek kompania “Socios” për 100 milionë euro.

“FC Barcelona njofton për shitjen e 24.5% të Barça Studios tek kompania Socios.com për 100 milionë euro për të përshpejtuar strategjinë audiovizive, blockchain, NFT dhe Web.3 të klubit. Shitja është bërë në përputhje me autorizimin e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve të FC Barcelona të mbajtur më 23 tetor të kaluar”, thuhet në njoftimin e klubit.

Kësisoj, Barcelona aktivizoi levën e tretë ekonomike për t’u përkujdesur për çdo problem që do të kishte hasur në lidhje me regjistrimin e nënshkrimeve të reja.

Barça aktivizoi levën e parë muajin e kaluar kur shiti 10% të të drejtave të tyre televizive te “Sixth Street” për një tarifë prej 267 milionë eurosh.

Disa javë më vonë, klubi aktivizoi levën e dytë duke shitur 15% të mbetur të të drejtave televizive të njëjtës kompani për rreth 400 milionë euro.

Me levën e tretë që po aktivizohet tani nga shitja e 24.5% të “Barça Studios” te “Socios.com” për një tarifë prej 100 milionë eurosh, Barcelona ka gjeneruar një shumë prej mbi 750 milionë eurosh nga shitja e aseteve të klubit këtë verë.

Kjo strategji padyshim se i ka ndihmuar klubit që të luftojnë si të barabartë me disa nga klubet më të pasura në Evropë në tregun e transferimeve.

Kujtojmë se Barcelona në afatin kalimtar të kësaj vere ka transferuar futbollistët e njohur si Robert Lewandowski, Raphinha e Jules Kounde, teksa Andreas Christensen e Franck Kessie kaluan në “Camp Nou” si futbollistë të lirë. 

(Kosova Sot Online)