Drita e konsideron si të suksesshme eksperiencën në Evropë, i vazhdon përgatitjet për edicionin e ri

  • S.A /
  • 03 August 2022 - 08:30
Drita e konsideron si të suksesshme eksperiencën në Evropë, i vazhdon përgatitjet për edicionin e ri

Drita u eliminua së fundmi nga garat evropiane përkundër faktit se la mbresa të mira në Conference League. Gjilanasit konsiderojnë se në Evropë bënë paraqitje dinjitoze dhe të suksesshme.

Prandaj, ata po i vazhdojnë përgatitjet për edicionin e ri të Superligës, ku synojnë të jenë po ashtu të suksesshëm, në mënyrë që edhe sezonin e ardhshëm të dalin në Evropë dhe të bëjnë paraqitje bravuroze.

Në stërvitjen e fundit të ekipit, të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e klubit me ç’rast drejtori sportiv, Valon Zymberi i përgëzoi futbollistët për paraqitjet në arenën ndërkombëtare, duke uruar dhe kërkuar angazhim edhe në edicionin e ri.

Zymberi theksoi se beson në potencialin e gjithsecilit dhe me punën e përbashkët FC Drita synon gjithmonë realizimin e objektivave të klubit, të cilat janë sukseset kulmore.

Ndërsa, kryetrajneri Ardian Nuhiu i vlerësoi lartë futbollistët, duke theksuar se nga viti në vit FC Drita po dëshmon kualitet dhe profesionalizëm në Evropë, gjersa falënderoi futbollistët për kontributin.

“Paraqitjet tona po tregojnë se klubi ynë dhe secili nga ju po nga liga jonë mund t’i prekin majat e suksesit. Performanca e FC Drita është dëshmia më e mirë se pavarësisht nga ku vjen, me punë dhe angazhim mund t’ia dalim. Këtë rrugë duhet ta ndjekim edhe në edicionin e ri, sepse duke e respektuar klubin, ligën tonë, shtëpinë tonë, do të jemi edhe më unik dhe konkurrent dinjitoz kudo ku marrim pjesë, duke synuar ngritje të vazhdueshme”, ka theksuar Nuhiu.

Siç dihet, sezoni i ri i Superligës së Kosovës do të fillojë më 13 gusht. 

(Kosova Sot Online )